Promovohen libra dhe prezantohet revista "Adoleshenti"
Salla e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, ishte e mbushur përplot adhurues të fjalës së shkruar artistike, përfaqësues të institucioneve komunale dhe drejtues të shoqërisë civile dhe mediale.
Madhështinë e këtij evenimenti të lartë kulturor e shtoi prania e shkrimtarëve dhe artistëve nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja.
Fillimisht, moderatorja Dionesa Ebibi, pasi përshëndeti të pranishmit ia dha fjalën Mevlude Abdullahut, e cila para artdashësve paraqiti një letërnjoftim të shkurt Lidhjes së Shkrimtarëve “Faik Konica”, duke e marrë më pas fjalën profesori Alixhemal Salihu, i cili elaboroi për jetën dhe veprimtarinë e kolosit të letrave shqipe “ Faik Konica”, të cilin emër me pietet e mban shoqata e shkrimtarëve nga Lugina.
Për përurimin e katër vëllimeve poetike të poeteshës Mevlude Abdullahu, fjalën e mori Flutura Maçi, piktore, poete e sekretare e Lidhjes së Poetëve, Shkrimtarëve, Artistëve Ndërkombëtarë, “PEGASI-Albania”, duke i dhënë më pas fjalën nënkryetarit të PEGASI-t Hekuran Rapaj, të cilët në fjalët e tyre e vlerësuan lart artin poetik të shkrimtares nga Komuna e Bujanocit.
Në vazhdim u dha nja recital nga talentet e Akademisë “Stoa”, me vargje të përzgjedhura nga opusi poetik i poetes Mevlude Abdullahu.
Po ashtu me interes për të pranishmit ishte edhe përurimi i librit me aforizma të Halim Hasanit, me titull: ”Fjali pa mahi”.
Programi përurues u freskua me lexime të aforizmave dhe një pikë muzikore nga vogëlushja Dafina Aliu.
Vlen të theksohet se vlerën e këtij përurimi e shtoi leximi i poezive nga krijimtaria poetike e poetit nga Bosnja Admir Xhibriq, pastaj diskutimi I drejtorit të revistës “Jehona”, Zaim Haliti dhe portretet e atyre që dolën në foltore nga piktorja Flutura Maçi, e cila ua dhuroi në shenjë mirënjohjeje. Në fund, organizatori për të pranishmit shtroi një koktej rasti./Titulli.com/